FOTO/ Ndahen çmimet për gjimnazistët e festivalit të Teatrit

TIRANË, 5 prill /ATSH/ – Festivali i Teatrit për shkollat e mesme, TK-RIN ART 2019 mbylli siparin mbrëmjen e djeshme në ”arTurbina”.

Në edicionin e dytë gjimnazistët e dhjetë shkollave në Tiranë, ngjitën në skenën e ”arTurbinës” shfaqje, si ”Babai”, ”Testamenti”, ”Përtej horizontit” etj, nën udhëheqjen e regjisorëve të rinj.

Ky festival u dha mundësinë të rinjve, që jo vetëm të prekin skenën e teatrit, por edhe të shpalosin ëndrrat e tyre.

Në fund të një koncerti festiv të përgatitur prej tyre, u ndanë edhe çmimet për aktorët më të mirë jo protagonistë dhe për aktorët më të mirë protagonistë. Nxënësja e shkollës “Abdulla Keta”, Xhoana Karaj u vlerësua për herë të dytë, si aktorja më e mirë në festivalin e të rinjve. Ndërsa, me çmimin për shfaqjen më të mirë u vlerësua shfaqja “Babai” me regji nga Xhuliano Brisku e shkollës “Besnik Sykja”.

Fituese e çmimit “Aktorja më e mirë joprotagoniste”, u shpall Siara Aliaj, shkolla “Andon Z. Çajupi”,  ndërsa fitues të çmimit “Aktori më i mirë protagonist” u shpallën ex-aequo Astiano Shehaj dhe Klodian Çelmeta nga shkolla “Petro Nini Luarasi”.

Regjisorët e rinj që përgatitën nxënësit e shkollave të kryeqytetit, janë: Ledjan Gjeçi – “Arben Broci”, Algiona Aga – “Sami Frashëri”, Alba Shtembari – “Petro Nini Luarasi”, Deljana Topulli – “Aleks Buda”, Ledio Shehaj – “Andon Zako Çajupi”, Albi Dhima – “Qemal Stafa”, Françeska Hysi – “Ismail Qemali”, Marsel Greva – “Partizani”, Xhuliano Brisku – “Besnik Sykja”, Emiljano Bufazi – “Abdulla Keta”. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.