Sorollatej prej 2 muajsh, qytetarja merr zgjidhje brenda 10 ditësh në platformën e bashkëqeverisjes

TIRANË, 4 prill /ATSH/ – Valbona Gjokaj, banore e zonës 11 në Tiranë, gjeti zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes për një problem që i kishte dalë si pasojë e ngatërrimit të emrit.

Valbona Gjokaj iu drejtua, Ministrisë së Brendshme, Zyrës së Drejtorisë së Gjendjes Civile, pasi gjatë marrjes së një certifikate emri i ishte shënuar gabim.

Me marrjen e ankesës, Zyra e Gjendjes Civile bëri të mundur korrigjimin e këtij gabimi.

“Kisha dy muaj që sorollatesha. Iu drejtova portalit. U lidha me zyrat në Laprakë të PS. Ata më ndihmuan me ankesën dhe brenda 10 ditëve m’u zgjidh problemi. Ju falenderoj”, tha qytetarja Valbona Gjokaj.

Kryeministri Rama u shpreh se zyrat e deputetëve të PS janë shndërruar në zyra të bashkëqeverisjes. “Më vjen mirë që i jeni drejtuar zyrës që është hapur aty nga deputeti. Në shumë zona, shumë zyra të deputetëve janë shndërruar në zyra bashkëqeverisjeje që janë hapur nga partia apo deputetë të PS që iu shërbejnë të gjithë qytetarëve”, tha Rama.

Kryeministri ripërsëriti edhe njëherë se nuk ka nevojë që qytetarët të sorollateni më lartë e poshtë.

“Kur shkruani në platformë keni direkt në dispozicion ministren dhe në rastin konkret ky rast është ndjekur nga ministri. Rasti i një emri të ndryshuar në gjendje civile mund të duket i vogël për ne të tjerët, por për atë që e ka imagjinoni sa i madh është, sepse nëse nuk e saktëson mbiemrin nuk bën dot shumë gjëra të tjera”, – tha Rama.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.