Rishpërndahet numri i punonjësve dhe i fondeve buxhetore në qeverisjen qendrore

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rishpërndarjen e numrit të punonjësve dhe të fondeve buxhetore në njësitë e qeverisjes qendrore për vitin 2019.

Sipas këtij vendimi numri i punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare, për vitin 2019, shtohet me 5 veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtyre institucioneve në 1119 punonjës.

Ndryshimi i numrit të punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare është përkatësisht: në Qendrën e Botimeve për Diasporën shtohen 2 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 15; Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit reduktohet me 3 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të Agjencisë në 41 punonjës; dhe 6 punonjës për Sekretariatin Teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Numri i punonjësve të Kryeministrisë reduktohet me 6 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Kryeministrisë në 150 punonjës.

Numri i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave shtohet me 6 punonjës, për vitin 2019, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në 5 809 punonjës.

Numri i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë reduktohet me 14 punonjës, të cilët nuk janë punonjës organikë, por i përkasin mjekëve specializantë, që përfundojnë kontratat e specializimit pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Numri total i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë bëhet 5629 punonjës.

Numri i punonjësve të Institutit të Shëndetit Publik reduktohet me 2 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në 4257 punonjës.

Numri i punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2019, shtohet me 3 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 929 punonjës.

Vendimi parashikon që 8 punonjës kalojnë në shtimin e numrit rezervë të punonjësve të institucioneve qendrore, duke e çuar këtë numër në 24 punonjës.

Në programin “Shërbime të tjera”, për Sekretariatin Teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar, shtohet fondi prej 7 milionë lekësh për shpenzime personeli dhe shpenzime operative, për vitin 2019.

Po ashtu, në institucionin e Kryeministrisë, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi” reduktohet fondi prej 7 milionë lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për vitin 2019.

/m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.