Ndërtimet informale, qeveria kompenson pronarët e truallit

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot masën e kompensimit financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale në disa qytete.

Përmes dy vendimeve të veçanta, qeveria përcaktoi sipërfaqet e kompensuara si dhe masën e kompensimit financiar dhe kriteret e përfitimit të saj.

Lidhur me kompensimin e pronave private të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Jug, Kamëz – Vorë, Tiranë Shtesat, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë Veri, vendimi parashikon që sipërfaqja e kompensuar është 14 621,33 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është rreth 107.5 milionë lekë.

Ndërsa përmes një vendimi tjetër, qeveria vendosi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.

Sipërfaqja e kompensuar është 20 694,8 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është mbi 347,3 milionë lekë.

Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet pa leje, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit.

Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale, që legalizohen./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.