Krijohet shoqëria “Illyrian Guard”, do ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike

TIRANË, 4 prill/ATSH/ – Qeveria ka miratuar të enjten vendimin për të krijuar shoqërinë “Illyrian Guard”, e cila do të jetë me kapital 100% shtetëror.

Sipas vendimit të marrë nga qeveria, kjo shoqëri do të regjistrohet në QKR dhe do të ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike, publik dhe privat. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard” sh.a., të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.

Sipas vendimit, Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard” sh.a., është Ministria e Brendshme. Shoqëria “Illyrian Guard” sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Shoqëria “Illyrian Guard” sh.a., ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë “Illyrian Guard” sh.a., nga inventari i saj i pronave publike, mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.