PD: Promovimi i karrierës në polici, jo në bazë të meritës

TIRANË, 3 prill /ATSH – I. Vata/ Partia Demokratike akuzoi sot Policinë e Shtetit se promovimin në karrierën e policisë nuk bëhet mbi bazën e rezultateve të punës kundër krimit, por mbi bazën e shërbimit ndaj krimit dhe banditëve.

Në një deklaratë për mediet, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji shprehet se rasti konkret që po denoncojmë sot është Andon Marko.

“Qytetarët e njohin nga skandali i përgjimeve të pazbardhura të prokurorisë si pjesë e manipulimit shtetëror të dosjes së Agron Xhafës. Andon Marko është nëndrejtori i Policisë së Fierit që është nën urdhrat e Fredi Alizotit, dëshmitarit të sajuar dhe të blerë të qeverisë për manipulimin e dosjes”.

Më tej, Salianjit shton se “Andon Marko ka marrë dje emërimin si drejtor i Policisë së Fierit, si shpërblim për shërbimin ndaj bandës”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.