Schumacher debuton te Ferrari, emocione në Bahrein

TIRANË, 2 prill/ATSH/- Djali i Michael Schumacher, Mick Schumacher, ka debutuar për herë të parë me një makinë “Ferrari” të Formula 1 dhe këtë e ka bërë në pistën e Bahreinit.

13 vjet pasi Michael garoi për herë të fundit me të në “Interlagos” në vitin 2006, i biri provoi makinën në testet e zhvilluara në Bahrein këtë të martë. Michael Schumacher me “Ferrarin” fitoi pesë tituj kampion në Formula 1.

Dita iu kushtua totalisht djaloshit dhe të gjitha kamerat ishin drejtuar nga 19-vjeçari kur nxori makinën nga garazhi për herë të parë, ndërsa të gjithë i bënin foto kur doli me uniformën e skuadrës italiane, pasi dukej tepër i ngjashëm me të atin. Ai xhiroi rreth 15 minuta dhe realizoi vetëm 10 xhiro, duke shënuar si kohë më të shpejtë 1:32.552, të tetën në renditjen e ditës.

E pranishme ishte edhe e ëma, Corinna, për të ndjekur herën e parë që djali i saj ngiste një makinë të Formula 1. Momentalisht ai garon në Formula 2, por shihet si pilot i ardhshëm i F 1, me disa skuadra që e kërkojnë.

/a.f/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.