Rezultatet në reformën e ujit, garanci për donatorët

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se, “është e rëndësishme jo vetëm të investojmë, por edhe të thellojmë rezultatet e reformës së ujit”.

Gjatë prezantimit të Programit të 3-të të furnizimit me ujë në zonat rurale në Rrajcë, Kryeministri vuri në dukje rezultatet me reformën e ujit.

“Ka një përmirësim të qartë të situatës, sepse sa më mirë të jepet shërbimi aq më e madhe është edhe predispozita për të paguar rregullisht. Por nëse nuk paguajmë e kemi të vështirë që të përmirësojmë shërbimin, sepse përmirësimi bëhet me investime dhe investimet me fonde”, – tha Rama.

Kryeministri kujtoi se qeveria ka vendosur një standard, që fondet shkojnë aty ku ka konsumatorë që janë klientë të rregullt dhe meritojnë shërbimin, jo aty ku njerëzit nuk pranojnë të paguajnë.

“Çështja e pagesës nuk është çështje të varfërish e të pasurish, por është çështje qytetarie dhe respektimi të ligjit, – tha Rama, duke kujtuar faktin se, – edhe pse kjo zonë nuk është e pasur, këtu njerëzit paguajnë faturat”.

“Këtu janë paguesit më të rregullt, edhe në kohën kur gjysma e shqiptarëve nuk paguante. Ishin pikërisht pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, shtresat më vulnerabël që paguanin. Kjo tregon se është çështje qytetarie, respekti ndaj ligjit dhe vetëdije, se nuk mund të jetojmë më mirë duke ia hedhur e vjedhur njëri-tjetrin, por përkundrazi, duke bërë secili detyrën e vetë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kemi ecur mirë me parametrat e kësaj reforme dhe kjo krijon besueshmëri te donatorët”. “Qeveria gjermane përmes KfW e mbështet këtë reformë me fonde, projekte dhe angazhime konkrete për të vazhduar më tutje”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.