Ndryshime në Kodin Penal, ndëshkim për organizatorët e basteve online

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Qeveria po përgatit disa masa të reja në Kodin Penal, që parashikojnë dënimin me burg për këdo që organizon bixhoz në Shqipëri.

Në një takim me banorët e Librazhdit në kuadër të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama tha se “ky parlament sot është shumë më normal se më parë dhe do të votojë ligje për të ndëshkuar ata që organizojnë baste online në lokale”.

Vetëm në Librazhd ka pasur 16 pika bastesh, tha Rama, duke shtuar se “tani që ato janë mbyllur, ambientet janë kthyer në biznese të vogla”.

Por, Kryeministri theksoi se “ka ende probleme me ata që luajnë online dhe këtë e ka problem gjithë bota, edhe në Kinë apo Amerikë”.

“Sot ka ardhur koha të marrim disa masa të reja në Kodin Penal. Ne po i përgatisim, pasi  janë të domosdoshme. Ndaj, kush organizon bixhoz për të tjerët, në një vend që është i ndaluar, duhet të shkojë në burg”, – tha Rama.

Ai theksoi se edhe ndezja e zjarreve është bërë problem, ndaj dhe ndezjen e zjarreve dhe krimet e tjera mjedisore, do t’i ashpërsojmë në Kodin Penal.

“Do t’i diskutojmë në parlament pasi ky parlament sot është shumë më normal dhe i pashqetësueshëm, sepse nuk vijnë deputetët në parlament me vezë dhe bojë në xhepa. Ata le të rrinë aty në rrugë, ndërkohë që parlamenti do të votojë ligje për të ndëshkuar ata që organizojnë online në lokale apo në forma të tjera lojëra fati, ata që ndezin zjarre, ata që bllokojnë rrugët… E ka edhe sot ligji, por do ta bëjmë më të qartë. Po ashtu do të ashpërsohen masat për ata që godasin personat për shkak të detyrës, ata që godasin përfaqësuesit e popullit në bashki apo parlament, zyrtarët publikë”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “ne do t’i adresojmë edhe disa probleme që ka Kodi si rezultat i pazareve që bëhen nga lloj-lloj kriminelësh që marrin lehtësira”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.