Investimet në Librazhd, krijuan njësi të reja prodhimi dhe hapësira për punësim

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Investimet kanë ndryshuar Librazhdin duke krijuar njësi të reja prodhimi dhe hapësira për punësim.

Kështu deklaroi sot në Librazhd, Kryeministri Edi Rama në një takim me banorët në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

Kryeministri u ndal te investimet që janë bërë në Librazhd. “Këtu ia kemi dalë të krijojmë një lidhje shumë të ngushtë me të gjithë ju, komunitetin dhe së bashku kemi bërë të mundur gjëra që deri dje ishin krejt të pamundura. Këtu ishte një gropë dhe sot është sheshi mikpritës i një qyteti që po ndryshon përditë. Nuk po ndryshon vetëm pamja, por po investohet, janë çelur njësi të reja prodhimi, janë krijuar hapësira të reja për punësim”, – tha Rama.

Si pjesë dhe zemër e bashkisë së re, në Librazhd, sipas Ramës, “është bërë graviteti i një ndryshimi që po shtrihet në të gjitha njësitë administrative ku ndërtohen rrugë, ura, shkolla dhe krijohen kushtet për të mbështetur ata që punojnë tokën dhe prodhojnë e shesin përmes tokës”.

“Në këtë bashki ne kemi pasur rezultate shembullore dhe këtu nuk diskutohet rezultati, por se sa shumë akoma ka për të bërë. Nuk diskutohet as fakti që të gjitha ato që duhen bërë mund t’i bëjë vetëm PS, skuadra jonë, e cila ka njerëzit e duhur në kohën e duhur, me programin e duhur dhe vazhdon punën në drejtimin e duhur”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.