Drenasi, përfitues i disa granteve të performancës komunale

PRISHTINË, 2 prill /ATSH/ – Komuna e Drenasit, përmes një njoftimi për media ka pranuar grantin e performancës nga qeveria zvicerane në vlerën prej 149.846,00 euro, dhe grantin e performancës komunale nga qeveria suedeze në vlerën prej 33.593,00 euro, kurse nga qeveria japoneze ka përfituar grantin në vlerën prej 64.000,00 euro.

Të gjitha këto financime janë orientuar në projekte kapitale.

Dy grantet e para do të përdoren për ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza, ndërsa mjetet nga qeveria japoneze janë ndarë për blerjen e mamografit për QKMF-në.

Të gjitha mjetet janë derdhur në llogari të Komunës dhe janë alokuar për projektet e përcaktuara sipas prioriteteve.

“Puna, angazhimi dhe përkushtimi për implementimin e projekteve kapitale në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizim, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përkrahje në zhvillimin e bujqësisë, në ngritjen e cilësisë në arsim, infrastrukturë shkollore, turizëm, kulturë, sport dhe fusha të tjera, do të jetë përkushtim i vazhdueshëm i qeverisjes”, theksohet në njoftim. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.