Shkodra me brandin e saj turistik

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Shumë shpejt, Shkodra do të bëhet me brandin e saj turistik!

Programi Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) i financuar nga Bashkimi Europian dhe që zbatohet nga qeveria shqiptare dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) po punon për finalizimin e brandit të bashkisë Shkodër, që do të jetë një surprizë e bukur në pragun e sezonit turistik.

Ky program ka për qëllim krijimin e një partnershipi ndërmjet bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.

Në rastin konkret programi po punon me grupin e artizanëve shkodranë, që prodhojnë objekte të ndryshme prej balte me motive tradicionale shkodrane, duke synuar të ringjallin një traditë të kahershme të këtyre zonave, që janë një aset i çmuar dhe atraksion i rrallë për turistët dhe vizitorët e ndryshëm.

Projekti po punon për krijimin e brandit të Shkodrës në këtë drejtim, i cili është një vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit të zonës, rritjen e të ardhurave dhe angazhimin me punë të familjeve shkodrane.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.