Problemet me shërbimet ajrore, Keri: AAC avokat mbrojtës i të drejtave të qytetarëve

TIRANE, 30 mars/ATSH/ – Tashmë Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) është kthyer në një avokat mbrojtës i të drejtave të qytetarëve ndaj problemeve me shërbimet ajrore.

Gjatë një interviste në studion e Agjencisë telegrafike Shqiptare, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Krislen Keri foli për rastet dhe shërbimet që detyrojnë kompanitë ajrore të kompensojnë në rast vonesash.

Keri u shpreh se ”më përpara është trajtuar si një marrëdhënie e pasagjerit dhe kompanisë, por nuk është ashtu. Rregullbërja si dhe të qenurit rregullator i shtetit, funksionon sipas tipologjisë së një vendi dhe ajo që unë konstatova në krye të Aviacionit Civil, ishte një mungesë totale e informacionit për qytetarët, ndaj kompanive ajrore e cila përcillej te rregullatori, sepse me të drejtë qytetarët thonë ne paguajmë taksa dhe duam që rregullatori të jetë avokati ynë dhe ne bëmë pikërisht këtë reformë të brendshme”, – theksoi ai.

Drejtori i AAC shqiptar, theksoi se “krijuam një sektor aty brenda Aviacionit Civil të dedikuar për të drejtat e pasagjerit. Ky sektor është me vendndodhje me zyra brenda aeroportit të Rinasit, rregullat e qarta të BE-së i kemi përafruar dhe në legjislacionin tonë dhe janë shndërruar në fletëpalosje informuese, edhe në email kushdo që është i interesuar. Komunikimet janë rreth 100 korrespondenca në ditë të njerëzve që ose duan informacion, ose janë duke ndjekur një ankesë. Në momentin që ndodh një vonesë mbi tre orë, siç e parashikon ligji, apo një anulim i fluturimit, atëherë detyrimi ynë është që kompanitë ajrore të përmbushin detyrimin për sa i përket ofrimit të ushqimit dhe akomodimit në rast vonesash mbi 5 orë, ose kur kalon orën 12 të natës. Procesimi i dytë është dhe të informojmë pasagjerët për mënyrën e kompensimit të dëmit të shkaktuar, ku kryesisht për tregun italian edhe problematika ka qenë më e madhe. Ky dëmshpërblim ndaj qytetarit duhet ta paguhet nga kompania dhe shkon në vlerën e 250 eurove”.

Keri solli në vëmendje vitin 2018 ”ku kjo strategji ka qenë e suksesshme dhe vlen të  theksohet që janë pikërisht ata njerëz ata nëpunës civilë që ishin brenda institucionit tonë që thoshin që kjo qasje, ky interpretim i ligjit nuk mund të bëhej dhe fakti tregoi që kjo gjë u bë. Janë plot njerëz që punojnë aty në aeroport dhe rezultoi që në 2 mijë ankesa të pranuara u konvertua në shifër financiare e cila shkon në rreth 500 mijë euro që morën qytetarët shqiptarë. Fakti që ata kontaktojnë me ne çdo ditë, tregon që informacioni është shpërndarë dhe ne po vijmë në nivelin e informacionit që ka çdo qytetar, sigurisht dhe këtë e them për kompanitë dhe sa herë që bëj takimi ju them që qëllimi ynë nuk është kompensimi, qëllimi ynë nuk është penalizimi i tyre, por qëllimi ynë është që ata të zbatojnë kontratën që kanë me pasagjerin, të shkojnë në destinacionin e duhur në kohën e duhur. Në qoftë se do ketë problem, ne do jemi avokatë të qytetarëve dhe do u shkojmë gjërave deri në fund. Së fundmi, tha ai, “kemi marrë dhe një masë penalizuese për një kompani të huaj me masë gjobe, e cila është hera e parë që ka ndodhur në Autoritetin e Aviacionit Civil”.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.