Kosovë-BE, tre vjet nga nisja e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

PRISHTINË, 1 prill /ATSH/ – Sot, në trevjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon një tryezë diskutimi me titull “Rritja e përfitimeve nga MSA”.

“Panelistët, në mesin e të cilëve, Ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha, si dhe përfaqësuese të bizneseve prodhuese dhe tregtare, do të flasin për përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA, por edhe përfitimet në aspektin ekonomik nga kjo marrëveshje”, thuhet në njoftim.

Në 1 Prill 2016, ka nisur zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor.

Në 1 Prillin e para tre viteve, në Drejtorinë e Doganës në mënyrë ceremoniale u bë zhdoganimi i parë me tatim doganor të reduktuar konform Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ky moment shënonte fillimin e zbatimit të MSA nga ana e shtetit të Kosovës.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ministria e Integrimit deklaronte se, mbështetja e ofruar nga deputëtët e Kuvendit kosovar miratimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha reformat legjislative dhe institucionale dhe detyrimet kontraktuale të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kanë nisur në 28 Tetor të vitit 2013.

Kosova dhe Komisioni Europian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.

Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Europian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës ende nga pesë vende të BE-së.

Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.

Në 22 Tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Europian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Në 24 Tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.

Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik  ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.