Komisioni i Ligjeve miraton projektrezolutat e vlerësimit për KQZ dhe ISKK

TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme dy projektrezoluta: “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2018” dhe “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri  për vitin 2018”.

Në seancat e mëparshme, dy drejtuesit e institucioneve përkatëse, Klement Zguri dhe Agron Tufa, kanë raportuar veprimtarinë vjetore përgjatë vitit 2018 në komision.

Në projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2018”, deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, vuri theksin në materialin e paraqitur për komisionin në si vijon: miratimin e programit të punës në përputhje me Manualin e Raportimit Vjetor Periodik; marrjen e masave për garantimin e funksionimin e rregullt të administratës zgjedhore; kujdes të shtuar për monitorimin nga afër të kushteve dhe kritereve ligjore për financimin publik e privat të fushatës zgjedhore; ngritjen e mekanizmave të monitorimit të fushatës në media; përpunimin e strategjive të përshtatshme të edukimit zgjedhor; lehtësimin e procedurave për akreditimin e vëzhguesve zgjedhorë; për monitorimin nga afër të përdorimit të burimeve shtetërore; hartimin e metodologjive të kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale; mbledhjen e detyrimeve financiare ndaj subjekteve të gjobitura dhe rishikimin e adresës identifikuese online të KQZ-së.

Në përfundim të diskutimeve dhe sugjerimeve të deputetëve të komisionit, u vendos me shumicë votash, që projektrezoluta me sugjerimet e paraqitura t’i dërgohet seancës plenare.

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shametaj, përmes projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizimit në Shqipëri   për vitin 2018”, kërkoi dhe rekomandoi në emër të Kuvendit për Institutin vijimin e sensibilizimit të publikut për trashëgiminë materiale të komunizmit; vijimin e publikimit të veprimtarive që përbëjnë vepra të dhunimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; studimin e mekanizmave të përdorura nga organet shtetërore dhe partiake, hulumtimin e formave të rezistencës morale dhe kulturore në burgjet e diktaturës dhe studimin e pasojave sociale dhe kulturore të diktaturës ndër individë; rehabilitimin e viktimave të sistemit komunist; përpunimin e analizave krahasimore kronologjike ndërmjet komunizmit shqiptar dhe atij në vendet e Europës Qendrore e Lindore; studime për rolin e medias dhe gazetarisë shqiptare në periudhën postkomuniste, vijimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Radio-Televizionin Shqiptar për ekspozimin e punëve studimore të Institutit dhe forcimin e aksesit publik online në veprimtarinë e Institutit.

Deputetët e komisionit bënë sugjerime ndryshuese të tekstit të projektrezolutës së paraqitur. Me shumicë votash komisioni miratoi kalimin me ndryshimet e propozuara të projektrezolutës në seancë plenare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.