Berat, ujësjellës i ri për 200 familje të fshatit Qereshnik

TIRANË, 1 prill/ATSH/ – Rreth 200 familje të fshatit Qereshnik, njësia administrative Otllak, Berat, do të furnizohen tashmë 24 orë me ujë të pijshëm.

Projekti i ujësjellësit të Qereshnikut është një investim prej 36 milionë lekësh bën të mundur sjelljen e ujit të pijshëm për banorët e fshatit Qereshnik, në lagjen Muçollas, që nga Qafë-Dardha.

Në ceremoninë e përurimit të ujësjellësit kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, u shpreh se një nga sfidat prioritare të planifikuara në Strategjinë e Zhvillimit të Territorit të Bashkisë konsistonte në përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të ujit të pijshëm atje ku ai ishte amortizuar dhe ndërtimin e tij në ato zona ku ai mungonte.

“Sot në kuadër të punëve konkrete, kemi mundur të realizojmë një kërkesë të kahershme të banorëve të Qereshnikut, duke iu garantuar atyre furnizimin me ujë të pijshëm përmes një rrjeti të ndërtuar nga e para, e duke mbajtur njëkohësisht një premtim të bërë ndaj këtij komuniteti”, nënvizoi Sinaj.

Gjatësia e këtij ujësjellësi prej 8 km të tubit kryesor dhe 6.1 km të rrjetit të shpërndarjes (Depoja kryesore, V = 400 m3, ndërsa depoja e dytë, V = 100 m3), mundëson për herë të parë furnizimin me ujë të pijshëm të familjeve të këtij fshati. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.