“Ora e Tokës”- Klosi fton nxënësit në një aksion pastrimi për një Shqipëri turistike

TIRANË, 31 mars/ATSH/- Në ditën “Ora e Tokës”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, zhvilloi një orë të hapur mësimi me nxënësit e shkollës “Sami Frashëri” dhe mësuesit e klubit të mjedisit.

Gjatë kësaj ore mësimi nxënësit dhe ministri Klosi diskutuan mbi edukimin mjedisor, ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale.

Ministri Klosi ftoi të gjithë nxënësit e shkollave të organizohen gjatë muajit prill-maj, si në Ditët e Pemëve, në një operacion pastrimi në të gjithë Shqipërinë për një destinacion turistik më të pastër dhe më të sigurt.

Bashkë me nxënësit ministri Klosi mbolli disa pemë në oborrin e shkollës, duke shtuar gjelbërimin e gjimnazit të njohur të kryeqytetit.

“krijoO2tënd” është kryefjala e fushatës më të re të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në këtë sezon të ri mbjelljesh. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe aktivitetesh për t’iu dhënë mundësi të gjithë atyre që e duan natyrën dhe mjedisin, të mbjellin pemë, qoftë edhe 1 fidan dhe të marrin pjesë në bisedat konstruktive që do të bëhen për pemët dhe pyjet ./k.s/ /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.