10-vjet në NATO, Atasheu Amerikan i Mbrojtjes: Përfitimet e Shqipërisë nga Aleanca

TIRANË, 31 Mars/ATSH/- Nesër bëhen 10 vjet që nga dita kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, më 1 prill 2009.

Për të festuar këtë përvjetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara organizoi një seri bisedash me të rinjtë në mbarë Shqipërinë.

Përfaqësues të Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje të Ambasadës Amerikane dhe seksioneve të tjera, zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura Shqiptare u takuan me nxënës të shkollave të mesme për të biseduar mbi rolin e Shqipërisë në NATO dhe rëndësinë e Aleancës.

“Aleanca e NATO-s është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ajo sjell përfitime për Shqipërinë si pjesë e Nenit 5 për mbrojtjen kolektive. Pra, nëse Shqipëria do të sulmohej nga ndonjë vend, e gjithë Aleanca e NATO-s do të vinte në mbrojtje të saj”, thotë Atasheu Amerikan i Mbrojtjes, Komandanti James Hilton.

”Por Shqipëria nuk merr vetëm përfitime, ajo ka dhe përgjegjësi për të qenë anëtare e NATO-s dhe Shqipëria i plotëson këto përgjegjësi më së shumti duke dërguar trupa në Afganistan, për të përforcuar më tej operacionin në Letoni dhe me dislokime të tjera të NATO-s nëpër botë”, thekson Hilton.

Aktivitet e organizuara nga Ambasada e SHBA u zhvilluan në shkolla të qyteteve të ndryshme. Pas kuiceve ndërvepruese, përfaqësuesit iu përgjigjën pyetjeve të nxënësve rreth punës së tyre në ushtri dhe sfidat me të cilat ata përballen, teksa iu shërbejnë vendeve të tyre dhe Aleancës.

Major i Forcave Ajrore shqiptare Ervin Buzi shprehet se NATO është e rëndësishme për Shqipërinë për shkak dhe të vlerave që ajo ndan, që ne të qëndrojmë për këto vlera dhe ombrellën që krijon për të mbrojtur veten si bashkim, jo si një vend i vetëm.Të mësosh rreth NATO-s është e rëndësishme për të kuptuar pse jemi pjesë e NATO-s dhe çfarë kontributi dhe detyrimesh kemi ndaj NATO-s, duke qenë aleatë të Aleancës më të madhe në botë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.