Mjekja nis punë pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2363004640597095/

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Xhovana Kane, e cila ka mbaruar fakultetin e Mjekësisë me mesatare 9 dhe ishte pajisur me leje për ushtrimin e profesionit nga Urdhri i Mjekut, nuk po merrte përgjigje lidhur me kërkesën e saj për punësim.

Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes ajo u punësua në qendrën shëndetësore Kuman, në Roskovec ku ushtron profesionin e mjekes dhe është njëkohësisht edhe drejtoresha e kësaj qendre.

Kryeministri Edi Rama ndau sot rastin e Xhovanës, e cila iu drejtua platformës dhe gjeti menjëherë zgjidhje.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ekselente, këmbëngulëse dhe të palodhur, që i’u drejtua platformës shqiperiaqeduam.al dhe sot i shërben komunitetit të saj, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Kryeministri.

Historia e Xhovanës ra në kurthin e vonesave dhe burokracive, të cilat tashmë janë zgjidhur.

“Studimet i kam përfunduar në korrik 2017. Jam diplomuar dhe jam licencuar në janar 2018. Pasi u licencova qëllimi dhe dëshira ime ishte të filloja punë si mjeke familje. Plotësova të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që kërkohej për aplikimin në punë, por ajo që unë hasa ishte një vonesë në ardhjen e fletës së emërimit nga Ministria e Shëndetësisë. Për shkak të kësaj vonese vendosa t’i drejtohesha portalit të bashkëqeverisjes”, tha Xhovana.

Në fund ajo i drejtoi një mesazh gjithë të rinjve që të punojnë shumë fort për të realizuar objektivat e tyre./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.