Gjonaj: Asnjë tolerancë shkeljeve

TIRANË, 30 mars/ATSH/ “Lufta kundër korrupsionit, rritja e cilësisë së trajtimit të të paraburgosurve dhe të burgosurve do të jenë çështjet kryesore në sistemin penitenciar”. deklaroi nga Lezha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjatë një vizite në qarkun e Lezhës, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi një inspektim blic në IEVP Shën Koll.

Gjonaj tha se shkeljet e ndodhura së fundmi në këtë IEVP, nuk do të tolerohen, dhe do të hetohen për të nxjerrë përgjegjësit e ngjarjeve. Në analizë, sipas saj, tashmë po merren edhe veprimet e stafit drejtues të këtij institucioni nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu nevojën e krijimit të një trupe të qëndrueshme sa i takon policisë së burgjeve, duke njoftuar së shpejti do të miratohet në parlament edhe ligji.

“Krahas masave për rritjen e sigurisë po ecet paralelisht për rritjen e kapaciteteve për të pasur një trupë të qëndrueshme policore! Legjislacioni që do të miratohet së shpejti në Kuvend do të krijojë të gjitha mundësitë për qëndrueshmërinë e punonjësve të policisë së burgjeve si dhe ngritjen e sistemit të karrierës”, tha Gjonaj.

Gjithashtu, në fokus ishin edhe çështje të tjera sa i takon rritjes së sigurisë në sistemin penitenciar si dhe rritja e profesionalizmit të punonjësve në burgje.

Gjatë vizitës në qarkun e Lezhës, ministrja Gjonaj, së bashku me Drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Engjëll Hysi, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Përmbarimit, Piro Lutaj, u ndalën në disa prej agjencive që janë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministrja Gjonaj vlerësoi punën e bërë nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme gjatë vitit 2018, ndërsa gjatë inspektimit në zyrën vendore të ALUIZNI-t Lezhë, theksoi se detyra e personelit është t’ju shërbejnë në kohë dhe me cilësi qytetarëve, duke nënvizuar se ky duhet të jetë fokusi primar i të gjitha agjencive të varësisë.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Gjonaj firmosi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit me kryetarin e Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi, për vënien në funksion të trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin, të mbështetjes nëpërmjet programeve sociale multidisiplinare, duke i mbajtur të miturit larg izolimit me burg.

Ministrja Gjonaj bëri të ditur se Shërbimi i Provës dhe i gjithë zinxhiri i institucioneve të drejtësisë që trajtojnë çështjet e të miturve në konflikt me ligjin, kanë nisur punën për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin në kuadër të një drejtësie miqësore për ta.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.