Xhaçka: Aleanca të formulojë një strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 29 mars/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, deklaroi sot se “ka ardhur koha që aleanca të formulojë një strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor”.

Në fjalën e saj në konferencën e nivelit të lartë “Shqipëria 10 vjet në NATO, Siguri e shtuar për rajonin”, të zhvilluar në Tiranë, Xhaçka theksoi se “jemi dëshmitarë të shfaqjes së rreziqeve të një natyre jo konvencionale, që cenojnë sigurinë e vendeve anëtare qoftë në formën e terrorizmit dhe në formën e radikalizimit apo në formën e emigracionit të paligjshëm masiv dhe trafiqeve, apo të tjera probleme që burojnë nga destabiliteti apo konfliktet qoftë në Afrikën e Veriut, të Afrikë Qendrore apo Lindjes së Mesme”.

“Po shohim shfaqjen e rivalëve të rinj me vizione alternative për botën dhe që refuzojnë të pranojë paradigmën gjeopolitike ekzistuese, apo edhe rishfaqjen e rivalëve të vjetër që sot refuzojnë status quo-në dhe përpiqen të dobësojnë kohezionin e strukturave euroatlantike , të dobësojnë modelin demokratik ku ne besojmë dhe të përfitojnë për të shtrirë influencën e tyre në hapësira që deri dje ishin në sferën e pakontestuar të influencës së Aleancës”, -nënvizoi Xhaçka.

Ballkani Perëndimor, vijoi Xhaçka, për shkak të pozitës së tij gjeografike, por edhe për shkak të historisë dhe trashëgimisë së historisë është hapësira ku takohen këto kërcënime dhe sfida të reja.

“Rajoni ynë është deri diku në syrin e stuhisë, është deri diku ironike në njërën anë prania e NATO-s është më e zgjeruar se kurrë, por në anën tjetër rreziku që i kanoset sot rajonit është më i lartë sesa ka qenë në çfarëdo momenti përgjatë së paku 20 viteve të fundit. Të gjithë ne e dimë ashtu siç e dinë edhe rivalët tanë për influencën në këtë rajon që një Ballkan i pasigurtë, i destabilizuar do të thotë edhe një Europë e kërcënuar”, – tha Xhaçka.

Ministrja u shpreh se “gjatë këtyre 10 viteve të fundit Shqipëria padyshim e ndihmuar edhe nga statusi i saj si vend anëtar i NATO-s e ka konsoliduar rolin e saj si një shtyllë e  stabilitetit në rajon. Me anëtarësimin e Malit të Zi, të zgjidhjes së çështjes së emrit me Maqedoninë e Veriut dhe Greqisë dhe hapjen e rrugës së fqinjit tonë lindor në NATO, sot të gjithë ndihemi më të sigurtë”.

Sipas saj, vendimi për të ndërtuar bazën e parë ajrore në rajon në Kuçovë është mesazh strategjik dhe një sinjal i fortë që po merr rajoni jonë në raport me garantimin e sigurisë së Europës.

“Krahas këtij investimi të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor jemi të vetëdijshëm se ka një tjetër investim të ethshëm nga aktorë të tjerë që shkon në kah të kundërt me vizionin apo objektivat tona. Përfshirja e këtyre aktorëve në Ballkanin Perëndimor është më e fortë dhe më intensive seç ka qenë më parë dhe ajo e bën këtë përfshirje dhe përpjekje për të shtrirë influencën e saj në një rajon që për disa dekada e ka lidhur tashmë fatin e tij me integrimin në strukturat euroatlantike”, – theksoi ministrja.

Pra , vijoi Xhaçka, ajo që e bën shqetësues këtë ndikim është fakti që objektivi kryesor që këta aktorë kanë zgjedhur për të avancuar axhendën e tyre gjeopolitike është nxitja e destabilitetit dhe studimi i perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

“Është një përpjekje e mirëmenduar, mirëplanifikuar, mirëmenaxhuar dhe mirëfinancuar për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor duke i hapur rrugë në njërën penitrimit të influencës së këtyre aktorëve, por edhe dobësisë së sigurisë në BE në anën tjetër”, – tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “është një përpjekje që ka marrë formën e një sulmi frontal dhe hibrid në arsenalin e instrumenteve që po përdoren. Instrumente që shkojnë nga incentivat ekonomike dhe përdorimit të mediave të komunikimit përmes famëkeqeve fake-news që synojnë të dobësojnë besimin e qytetarëve tek modeli demokratik apo nxitja e tensioneve etnike, fetare sociale apo politike e deri në të paktën e një rasti duke tentuar për të rrëzuar një qeveri legjitime, të një vendi kandidat për anëtarësim në NATO përmes një grushti shteti”.

“Pavarësisht vendosmërisë së Shqipërisë dhe vendeve të rajonit ky është një shqetësim që ne nuk mund ta adresojmë të vetëm. Besoj se sot është momenti që aleanca të intensifikojë përpjekjet për të stabilizuar rajonin, për t;u prerë rrugën tentativave të tilla ashtu sikur ndërhyri fuqishëm dhe në mënyrë vendimtare për të konsoliduar demokracitë e reja, ashtu si po bën në vendet baltike dhe ato të Europës Lindore ku ka filluar të zbatohet formula e NATO-s si një kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve që po vijnë nga Rusia”,-  tha Xhaçka.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.