Tremujori i fundit i 2018, konsumi u rrit me 2,84%

TIRANË, 29 mars /ATSH/ – Rritja ekonomike ka përvijuar gjallërim të konsumit në tregjet e vendit.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,84 %.

Instituti i Statistikave, bëri të ditur sot se, “komponentët kryesorë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e katërt të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017, shfaqi rritje të konsumit dhe shpenzimeve me rreth 2,84%, ndryshe nga konsumi final i qeverisë që u ul me 0,05%”.

Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, “konsumi final i popullatës pësoi një rritje me 1,26%”.

Gjallërimi i aktivitetit të turizmit në vend sikurse dhe rritja e numrit të turistëve të huaj, pati ndikim pozitiv në këtë drejtim. Në 9-mujorin e 2018 të ardhurat nga turizmi llogariten në 1.47 miliardë euro, me rritje 12% krahasuar me vitin 2017.

Lidhur me numrin e turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë, Instituti i Statistikave raportoi se në vitin 2018 kanë hyrë 5.926.803 persona me rritje 15,8%, në krahasim me vitin 2017. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.