Shqipëria 10 vite në NATO, Xhaçka: Shtyllë stabiliteti dhe eksportuese sigurie

TIRANË, 29 mars /ATSH – A. ALLA/ – ”Ne sot kemi të drejtën të ndihemi krenar për punën e madhe që u bë për të fituar vendin tonë si anëtare të Aleancës më të madhe ushtarake në histori. Por kemi të drejtën të ndihemi po aq krenar edhe për punën që kemi bërë të gjithë bashkë në këto 10 vjet për të justifikuar besimin që na u dha, për të modernizuar Forcat tona të Armatosura e për t’u kthyer në një faktor stabiliteti dhe një pike referimi për sigurinë në rajon. Falë kësaj pune Shqipëria sot nuk është thjesht një vend anëtar i NATO-s, por një partner i besuar”, – u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë aktivitetit për 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

”Sot Shqipëria është prova e gjallë që edhe një vend i vogël, me mundësi të kufizuara, mund të kthehet në një aset për një aleancë si NATO. Vështirë ta besonte kush 10 vjet më parë, por sot Shqipëria është një eksportues sigurie, pjesëmarrëse në iniciativat dhe misionet e drejtuara nga NATO në Afganistan, Kosovë dhe detin Egje, në prezencën e përparuar të NATO-s në Letoni”, – tha Xhaçka.

Ajo vijoj se, ”jemi pjesëmarrës në operacione të drejtuara nga BE në Bosnjë e Hercegovinë ndërkohë që aktualisht po bëhen përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në operacionet nën drejtimin e OKB-së në Sudanin e Jugut. Janë thuajse 5000 djem e vajza të Forcave të Armatosura të angazhuar në misione të NATO gjatë këtyre viteve”.

”Sot që flasim në operacionet dhe komandat e Aleancës janë të angazhuar 600 ushtarakë çdo vit, çka e bën kontributin tonë ndër më të lartin në raport me përmasat e forcave të armatosura. Ky vit është shumë i rëndësishëm për ne sepse shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, por edhe sepse Shqipëria merr drejtimin e thuajse të gjithë nismave rajonale të aleancës. Ky kontribut i Shqipërisë si një shtyllë stabiliteti, si një eksportues sigurie dhe partner i përkushtuar ndaj vlerave e misionit të Aleancës është njohur e vlerësuar nga të gjithë aleatët”, – u shpreh Xhaçka.

Ajo theksoi se, ”kjo është një arsye e rëndësishme përse në Kuçovë do të fillojë së shpejti puna për investimin më të madh dhe të parën bazë ajrore të NATO në rajonin tonë, një investim që konsolidon rëndësinë e Shqipërisë si një aset strategjik për aleancën. Për shqiptarët NATO është aleanca që i solli lirinë shqiptarëve në Kosovë 20 vjet më parë. Megjithatë për ne anëtarësimi në NATO ka qenë dhe mbetet shumë më tepër sesa thjesht një çështje sigurie. Sepse për shqiptarët anëtarësimi në NATO ishte mbi te gjitha një certifikim i vokacionit të tyre europian dhe perëndimor”.

”Vite me parë, përpara së Shqipëria të bëhej anëtare e Aleancës, më kujtohet që kur diskutohej mbi mbështetjen e madhe të shqiptarëve për anëtarësimin në NATO – e cila, edhe në rastin më të keq, arrinte në mbi 90% – kishte shumë nga ata që thoshin se shqiptarët nuk e kuptonin mirë se anëtarësimi kishte anët e tij pozitive, por që kishte edhe kostot e veta. Është një skepticizëm që e hasim edhe sot kur gjendemi në një moment kyc në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Unë besoj që skeptikët gabohen sot dhe prova më e gjallë që gabohen është ajo që ka ndodhur pas anëtarësimit tonë në NATO”, – theksoi Xhaçka.

Ajo tha se, ”anëtarësimi ishte jo fundi, por fillimi i një pune shumë të madhe në çdo fushë të jetës së vendit. Në fushën e mbrojtjes e sigurisë, padyshim, por edhe për modernizimin e vendit, për zhvillimin dhe evropianizimin e tij, për vendosjen e sundimit të ligjit. Sepse, siç e theksova, për ne, anëtarësimi në NATO, ishte mbi të gjitha anëtarësim në një familje që ndan të njëjtat vlera, të njëjtin vizion për shtetin e shoqërinë”.

”Unë s’kam asnjë dyshim, që ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim edhe për tu përballur me sfidat e integrimit në Bashkimin Europian. Dhe besoj që ashtu siç e provuam që skeptikët gaboheshin lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ashtu do të dimë tu provojmë që gabohen edhe lidhur me gatishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për të përmbushur çdo detyrim në lidhje me integrimin europian. Siç ia dolëm të kthehemi në një histori suksesi e një partner të besueshëm e faktor stabiliteti për aleancën, do të dimë të kthehemi në një partner e aset edhe për Bashkimin Europian”, – theksoi Xhaçka.

”Kur Shqipëria të festojë një tjetër përvjetor të anëtarësimit, pavarësisht kush do të jetë në këto detyra, jam e bindur se të gjithë bashkë do t’ia kemi dalë jo vetëm të realizojmë shumë nga ato objektiva për të cilët po punojmë sot, por do t’ia kemi dalë t’u provojmë të gjithë skeptikëve që e kanë gabim dhe t’u provojmë të gjithë miqve e mbështetësve atë që ata tashmë e dinë, vullnetin e shqiptarëve për të europianizuar e modernizuar vendin e tyre, vullnetin për t’u rikthyer në familjen europiane, në familjen e shteteve demokratike ku e kemi vendin”, – përfundoi ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.