SERBI – Hahn: I rëndësishëm për Beogradin rifillimi i dialogut me Prishtinën

BEOGRAD, 29 mars /ATSH-ANSA/ – Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, në një vizitë në Beograd ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit nga ana e Serbisë të dialogut me Kosovën, që aktualisht është i ngrirë për shkak të detyrimeve të rritura nga Prishtina në importet serbe dhe boshnjake.

Në një konferencë për shtyp, në fund të takimit me kryeministren, Ana Brnabiç, Hahn tha se i vjen keq për bllokimin e negociatave, duke deklaruar se kjo nuk duhet të ndikojë negativisht në rrugën europiane të Serbisë.

“Nuk ka asnjë arsye dhe do të ishte gabim të ndalje gjithçka për shkak të ngrirjes së dialogut”, tha Hahn, i cili tregoi optimizëm në lidhje me perspektivat për integrimin europian të Beogradit.

Ai vuri në dukje se zgjedhjet e ardhshme europiane nuk do të kenë pasoja në këtë proces./ /ash/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.