“Nilkon – kur Danubi takoi Nilin”, një vepër e vërtetë arti

TIRANË, 29 mars/ATSH/- Një vepër e vërtetë arti, e ka cilësuar librin e Fate Velaj “NILKON” – kur Danubi takoi Nilin”, kritiku letrar dhe përkthyesi nga Egjipti, Sherif Abdel Hamid.

“Është akoma e paqartë se cili është sekreti që i ka dhënë këtij libri linjën e tij unike, formën individuale letrare si dhe natyrën e tij misterioze. Është e vështirë ta klasifikosh këtë libër dhe të gjesh vendin e tij të duhur dhe akoma më saktë, në cilin zhanër të letërsisë hyn”, shprehet Abdel Hamid njëkohësisht Koordinator për marrëdhëniet me jashtë në Zyrën e Guvernatorit të Kajros – Egjipt.

Sipas tij, lexuesi ndonjëherë mund të ndjejë se po lexon një autobiografi të ngjeshur dhe voluminoze për një periudhë të caktuar të jetës mbushur plot me passion e entuziazëm të një artisti të zjarrtë dhe kuratori ekspozitash mbresëlënëse.

“Por, në momente të caktuara, kur kalon nëpërmjet përshkrimeve të mrekullueshme, të kujdesshme dhe plotë detaje të njerëzve dhe vendeve të përmendura në libër (ngjarjet zhvillohen në Vjenë, Bruksel, Shkup dhe Kajro pak pas goditjeve të 11 Shtatorit 2001 në Nju-Jork), bëhesh ekstremisht i sigurt se po shtrëngon në duar një roman madhështor të qëndisur me kujdes dhe realizuar profesionalisht nëpërmjet penës së një romancieri realisht tejet të aftë dhe të talentuar. Pra kjo është një lloj letërsie e re e cila nuk është as krijimtari e pastër (roman) e as më pak jo krijimtari (një autobiografi). Autori ynë i talentuar dhe i veçantë e ka bërë këtë libër sipas recetës dhe përbërësve të tij vetanak”, – nënvizon Abdel Hamid.

Më shumë se kurrë, vijon ai, “NILKON” i Fate Velaj nuk mund të shihet vetëm si një autobiografi ose një roman, por duhet të vlerësohet si një libër i paarritshëm që i përket Letërsisë së Udhëtimit.

“Përfundimisht, me bindje të plotë them se ”NILKON” është një vepër e shkruar nga një prej udhetuesve më të famshëm të botës, i cili përbëhet nga NILKON” dhe nga Fate Velaj. Është më se e sigurt se Fate Velaj me anën e këtij libri, ka marrë me vete të gjithë lexuesit e tij duke i shpënë sa nga një qytet në tjetrin e sa nga një shtet në tjetrin në mënyrë që ata, ti shohin ato nëpërmjet syve të tij e ti perceptojnë ato ashtu siç i ka percepëtuar ai”, shprehet Abdel Hamid.

Në këtë libër Fate Velaj vazhdimisht jep përshkrime të detajuara mbi peizazhet apo pamjet e njerëzve, mënyrat, zakonet, kulturën dhe traditën e tyre.

“Pas leximit të librit, me siguri mund të konfirmosh se Velaj është një nga udhëtarët më të mëdhenj dhe të apasionuar tek i cili nuk vihet re asnjëherë ndjenja e ndrojtjes apo stepjes kur ndodhet në vende me njerëz e me kultura të ndryshme”, thotë Abdel Hamid.

Në lidhje me stilin e përdorur nga Velaj, Abdel Hamid, thotë se përzgjedhja e fjalëve është e përkryer.

“Duke folur me sinqeritet, nëse Ministria jonë e Punëve të Jashtme punon 24 orë në ditë për vite e vite, dhe nëse Shërbimi ynë i Informacionit dhe Publicitetit të Shtetit të Egjiptit (SIS) ka publikuar mijëra faqe promocionale për të treguar fytyrën e reale dhe të këndshme të Egjiptit, jam i sigurt, se ata kurrë nuk do të arrijnë këtë sukses të lartë dhe të paarritshëm të romanit NILKON me të cilin Fate Velaj i adresohet Perëndimit me një rrëfim mbi Egjiptin dhe egjiptianët”, thekson ai.

Duke falënderuar Velajn, Adel Hamid shprehet se “ne të gjithë si egjiptianë jemi në detyrim ndaj jush për këtë libër që keni shkruar me zemrën plot dashuri për Egjiptin dhe Egjiptianët. Ndoshta, do i kërkoja Ministrit tonë të Punëve të Brendshme t’i mundësonte Fate Velaj, autorit të këtij libri të mrekullueshëm, kombësinë egjiptiane për shërbimin e tij të madh plot pasion ndaj vendit tonë”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.