Nga Tatimet, te Sigurimet Shoqërore, shërbimet e reja për qytetarët në zyrat e ADISA-s

TIRANË, 29 mars /ATSH/- Sportelet e zyrave ADISA ku ofrohen shërbime publike të integruara kanë ndihmuar në rritjen e aksesit të qytetarëve shqiptarë në shërbimet publike, veçanërisht të shtresave vulnerabël.
Në një interviste për ERTV Drejtori i Agjencisë ADISA, Lorin Ymeri, tha se, gjatë vitin 2018 në 5 qendrat e integruara, janë paraqitur për të marrë shërbime 265 mijë qytetarë.
Në këto zyra, qytetarët mund të aplikojnë në sportele unike për shërbimet nga zyra si ZRPP, Tatimet apo Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pa patur kontakt me këto drejtori, ndërkohë që shumë shpejt lista e shërbimeve të integruara, do të shtohet me të tjera shërbime.
“Ne kemi punuar për shtimin e shërbimeve publike, në dhjetor kemi nënshkruar marrëveshjen me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, për mundësimin e shërbimeve të tyre, kemi filluar pilotimin e shërbimeve të legalizimit në zyrën e Tiranës dhe shpresojmë që brenda majit të forcojmë në Krujë dhe Kavajë shërbime të drejtorisë së transportit rrugor dhe për të patur mundësinë e shërbimeve të Qendrës Kombëtare të Biznesit në të gjitha bashkitë”, tha Ymeri.
Nga sondazhet e realizuara rezulton që qendrat ADISA janë zyrat publike me performancën më të lartë sa i takon eficiencës në dhënien e shërbimeve për qytetarët shqiptarë. Kundrejt vitit 2014, vitin e kaluar 75% e qytetarëve është shprehur pozitivisht për sportelet e ADISA-s. Sipas tyre, këto zyra kanë sjellë standarde më të larta të shërbimit, kanë reduktuar kohën e pritjes së qytetarit dhe rastet e burokracisë.
Në zyrat ADISA, një sportel i posaçëm i është kushtuar edhe bizneseve, që mund të rezervojnë online orarin për të aplikuar për një shërbim që u nevojitet. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.