Ndërhyrja e parë nga viti 1967, 10 milionë euro për rrjetin elektrik në Gjirin e Lalëzit

TIRANË, 29 mars/ATSH-Maela Marini/ Një investim prej 10 milionë euro do të garantojë furnizimin pa ndërprerje me energji të gjithë zonës së Gjirit të Lalëzit, ndërkohë që nga viti 1967 nuk ishte bërë asnjë investim në rrjetin elektrik të shpërndarjes.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me banorë të Durrësit, në kuadër të turit “Bashkia që duam”, ku theksoi se “ne flasim me gjuhën e rezultateve dhe të fakteve”.

“Para se të vinim këtu ishim në përfundimin e një investimi shumë të rëndësishëm për të gjithë zonën turistike në Gjirin e Lalëzit, ku vetëm këtë vit, këtë sezon, shtretërit për turistët rriten me herë, krahasuar me 5 vite më parë”, – tha Rama.

Ai nënvizoi se investimi prej 10 milionë euro do të garantojë që gjithë ajo zonë të mos ketë më probleme me energjinë dhe kjo, sipas Ramës, “do të thotë më shumë investime, punësim dhe të ardhura”.

Kryeministri vuri në dukje po ashtu se “vetëm para pak ditësh u firmos një kontratë për dy hotele me 5 yje në këtë zonë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.