Më shumë se 1 mijë shtretër i shtohen këtë sezon turistik, zonës së plazhit të Durrësit

TIRANË, 29 mars/ATSH-Maela Marini/ Më shumë se 1 mijë shtretër i shtohen këtë sezon vetëm zonës së plazhit të Durrësit.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me banorët e Durrësit, ndërsa foli për investimet në qytetin bregdetar.

“Nëse kthejmë kokën pas, duhet ta kujtojmë pak se nuk kishte kanale të ujërave të zeza. Shihje gjelbërim në rërë dhe ju e dini se çfarë e ushqen gjelbërimin poshtë rërës, jo uji, por ujërat e zeza. Një zonë që përmbytej rregullisht deri në qendër”, – tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se në Durrës është mbyllur përfundimisht problemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha.

Ndërsa për situatën e furnizimit me ujë të pijshëm, Kryeministri theksoi se është bërë një investim madhor dhe ka filluar të ndjehet ndryshimi nga qytetarët. “Do të vazhdojë investimi i madh që i është dedikuar furnizimit me ujë në Durrës”, – siguroi Rama.

Ai theksoi se në Durrës po ndërtohet edhe shkolla e re e muzikës. “Këta nuk i shohin gjërat që duhen parë, por vrapojnë të baltosin gjërat që bien më shumë në sy. Ata nuk e dinë çdo të thotë të ndërtosh dhe të jetosh në një qytet. Kanë tmerr nga e bukura, i vret, i sekëlldis dhe gëzohen vetëm kur shohin ndërtime pa leje. Vetëm në Shqipëri u ndërtua një qytet pa leje siç ishte Bathorja dikur që sot ka hyrë në rrugën e legalizimit falë nesh”, tha Rama.

Duke folur për investimet në Durrës, Rama tha se “më parë tek zona e kënetës apo tek Durrësi i Ri nuk çaje dot rrugën”. ” Ka akoma punë për të bërë, por ama është çarë rruga”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.