Mbi 300 shërbime publike të integruara në një zyrë moderne për qytetarët në Fier

TIRANË, 29 mars /ATSH/ – Mbi 300 shërbime të integruara nga 8 institucione të ndryshme publike, i ofrohen tashmë qytetarëve të qarkut Fier, në zyrën e shërbimeve të integruara ADISA, e ngritur në bashkinë Fier.

Duke publikuar edhe pamjet nga sportelet e kësaj zyre tejet sipas standardeve europiane, Kryeministri Rama shkruan se “nuk jemi jashtë shtetit, por në qendrën e ofrimit të shërbimeve të integruara ADISA në Fier”.

Në këtë mjedis modern, janë 23 sportele unike ku qytetarët por edhe bizneset mund të aplikojnë për shërbime që i përfitojnë në një periudhë shumë të shkurtër, duke shmangur burokracitë në zyrat e shtetit.

Duke folur mbi performancën e zyrave ADISA, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë ADISA, Lorin Ymeri, sqaroi edhe llojin e shërbimeve që u ofrohen në këtë zyrë, qytetarëve të Fierit.

“Ofrohen shërbimet e 8 institucioneve publike dhe dy shërbime të bashkisë Fier në kuadër të një marrëveshjeje me bashkinë. Konkretisht shërbime që lidhen me procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë për tokat bujqësore, proces që prek posaçërisht qarkun e Fierit, i njohur për tokat bujqësore. Shërbime të tjera janë ato të hipotekës, të zyrave të regjistrimit të pronave, e institutit të sigurimeve shoqërore, tatimeve, e shërbimit kombëtar të punësimit, të ALUIZNI-t. Të gjitha mundësohen në 23 sportele me një standard dhe me një mënyrë pritjeje të re”, tha Ymeri.

Sipas tij, ADISA ka mision shmangien e burokracive, duke rritur cilësinë e ofrimit të shërbimeve, ambienteve të denja dhe për të siguruar informacion për qytetarët mbi marrjen e shërbimeve.

“Më parë nuk kishte sistem radhe, njerëzit sorollateshin dhe nuk merrnin as informacion të dedikuar për shërbimin që kërkonin. Arsyeja pse u ngrit kjo agjenci është për të transformuar në mënyrë rrënjësore, mënyrën si ofrohen shërbimet publike”, tha Ymeri.

Aktualisht zyrat ADISA ndodhen në 5 bashki, Fier, Tiranë, Kavajë, Gjirokastër, Krujë dhe vetëm në vitin 2018 kanë përfituar në këto sportele plot 265 mijë qytetarë shqiptarë.

/e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.