Vetingu në Polici, Lleshaj: Të përfundojmë me sukses reformat e mëdha

TIRANË, 28 mars/ATSH/- Ndryshimet e propozuara nuk prekin thelbin e procesit të vetingut, përkundrazi gjithë ndryshimi bëhet në shërbim të një procesi më të shpejtë e të vendosur.

Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në fjalën e tij në Kuvend gjatë diskutimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Duke i ftuar deputetët që të votojnë pro ndryshimeve në këtë pr/ligj, Lleshaj tha se “ndryshimet e propozuara sjellin shpejtësi, vënien në kohë të procesit dhe ruajnë të njëjtat parametra të parashikuara nga ligjvënësi në ligjin e mëparshëm”.

“Vlerësimi i punonjësve të organeve ligjzbatuese në varësi të Ministrisë së Brendshme është një prioritet i rëndësishëm që përbën një kusht të të rëndësishëm për suksesin përfundimtar për reforma të mëdha që janë marrë në vend kryesisht në reformën në drejtësi. Pa një reformim të thellë edhe në fushën e policisë, reforma në drejtësi nuk do të ishte e plotë”, nënvizoi Lleshaj.

Kështu që, vijoi ai, ligji i miratuar në 2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe qëllimi i ndryshimeve të ndërmarra, që përcillen sot dhe kërkojmë miratimin tuaj lidhet me përmirësimin e procesit bërjen e tij me dinamik dhe përfundimin e tij në kohën e duhur.

“Mekanizmi i parashikuar në ligjin ekzistues parashikon ngritjen e një serie të tërë organesh vlerësimi kalimtar të punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Sipas këtij modeli kaskadë vlerësimi kryhet në tri faza, ku çdo fazë vlerësohen afërsisht 300 në fazën e parë,  3 mijë në fazën e dytë dhe 9 mijë punonjës në të tretën”, nënvizoi Lleshaj.

Sipas tij, për të kryer këtë proces është parashikuar edhe ngritja e një serie komisionesh dhe sekretariatesh teknike mbështetës që janë përkatësisht, 30, 90 dhe 270, pra që shkojnë gjithsej 390 persona që do të merren me kryerjen e vetingut në Policinë e Shtetit, njerëz të dedikuar me kohë të plotë këtij procesi.

“Problemet kryesore që lidhen më këtë model që është ende në fuqi janë koha, kostoja dhe krijimi i një gjendjeje disi provizore në motivimin e një personeli të madh të Policisë së Shtetit që bashkë me Gardën dhe SHÇBA shkon rreth 13 mijë punonjës. Vëllimi i punës që kërkohet për të bërë vetingun e punonjësve të strukturave të Ministrisë së Brendshme është i ngjashëm me atë që kryhet për të bërë Vetingun në sistemin e drejtësisë, pra një volum shumë i madh. Te gjithë jemi të qartë sesa kohë ka marrë vetingu i punonjësve të sistemit të drejtësisë, i cili për hir të vërtetës ka pasur një mbështetje të madhe si nga institucionet kombëtare, por edhe nga institucionet ndërkombëtare”, theksoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj tha se “deri më sot rreth 111 persona e kanë kaluar procesin. Nëse në sistemin e drejtësisë janë 800 persona që do t’i nënshtrohen vetingut në Ministrinë e Brendshme ky numër është rreth 13 mijë persona. Problemi themelor që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën që është në dispozicion”.

“Sipas ligjit aktual procesi i vetingut për 13 mijë punonjës të MPB-së duhet të mbyllet në mars të vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar. Kjo ka qenë një nga arsyet bazë që ka motivuar kërkesën drejtuar qeverisë e cila sot është shndërruar në projektligj dhe ka mbërritur në parlament për të bërë disa ndërhyrje në ligjin ekzistues për vetingun.

“Një arsye tjetër që ka të bëjë me ndryshimet ka të bëjë me volumin e madh administrativ që kërkohet për ta realizuar atë. Kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë nga strukturat e policisë dhe SHÇBA të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe t’i dedikohen vetingut me kohë të plotë”.

“Këtij volumi administrativ i bashkohet edhe një faturë jo pak e rëndësishme financiare që shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi”, tha Lleshaj./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.