Rama: Nuk është Siria, po QSUT në vitin 2013

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot një pamje ku shihen kushtet në të cilat ndodhej Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në vitin 2013.

“Nuk është Siria po Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ 2013”, u shpreh Rama.

Aktualisht janë dy projekte madhore që do të transformojnë Qendrën Spitalore Universitare, siç është Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitali i ri Kirurgjikal.

Projekti transformues me vlerë 25 milionë euro është vijim i investimeve madhore të qeverisë, në fushën e shëndetësisë.

Këto dy investime të rëndësishme, pjesë e projektit për modernizimin e qendrës më të madhe spitalore në vend, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët, jo vetëm të Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë (duke marrë parasysh se 50% e pacientëve që marrin shërbim çdo vit në QSUT vijnë nga jashtë Tiranës).

Nga të dy investimet që po kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të përfitojnë rreth 50.000 pacientë në vit, rreth 5000 punonjës staf mjekësor dhe jomjekësor, si dhe rreth 1000 studentë të Mjekësisë.

Spitalit i ri 7-katësh i sëmundjeve të brendshme, do të përfundojë në 36 muaj. Ky spital do të zëvendësojë spitalin e njohur si 6-katëshi në QSUT dhe do të ketë një kapacitet prej 271 shtretërish dhe do të pajiset me aparatura moderne të teknologjisë së lartë.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.