Rama: Çliruam policinë nga kthetrat e dyfishta të politikës dhe krimit

TIRANË, 28 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Kuvend te puna e madhe që është bërë për të reformuar Policinë e Shtetit duke e çliruar atë nga kthetrat e dyfishta të politikës dhe krimit.

Objektivi ynë, tha Rama, është që të shkojmë drejt objektivit që Policia e Shtetit të  radhitet në mesataren e policive të BE-së.

Ndryshimet e propozuara sot, sipas Kryeministrit, i shërbejnë pikërisht këtij synimi.

“Ne gjetëm policinë më të shkatërruar e të vjetër në moshë të rajonit dhe Europës. Sot kemi bërë përmirësime por është një punë që vazhdon. Sot kemi një polici të paguar më mirë por jo mjaftueshmërisht sa duhet, kemi një polici më të shkolluar, por jo sa duhet”, – tha Rama.

Ai ritheksoi nevojën për përfundimin e procesit të krijimit të kompanisë së sigurisë në Policinë e Shtetit, si një mënyrë për të futur në tregun e deformuar të policive private një standard të ri.

Kjo sipas, Kryeministrit, do t’i shërbejë edhe një kalimi më të butë të punonjësve që dalin nga shërbimi në Policinë e Shtetit, drejt pensionit.

“Kjo është një industri e deformuar dhe jashtë standardit, pasi kemi një numër të madh rojesh private të keqpaguar, pasi faturat e kripura të institucioneve shkojnë kryesisht në xhepin e pronarëve dhe nuk përkthehen në shpërblime apo sigurime për të gjithë”, – tha Rama.

Futja në këtë treg e një kompanie shtetërore, sipas Kryeministrit, nuk do të krijojë monopol, por do ta bëjë tregun më konkurrues.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.