FOKUS – Gabriel: Zgjedhjet europiane test kundër fake news

ROMË, 28 mars /ATSH-ANSA/ – Zgjedhjet europiane do të jenë një test për aftësinë tonë për të treguar se ne kemi vepruar kundër dezinformimit, i cili është në shërbim të disa interesave, jo vetëm kundër Bashkimit Europian, tha komisionerja europiane për Shoqërinë Dixhitale dhe Ekonominë, Marija Gabriel gjatë inaugurimit të vitit akademik 2018-2019 të Shkollës së Gazetarisë në universitetin ”Luiss” në Romë.

”Ndikimi më i keq i dezinformimit është ai i besimit në mes të qytetarëve dhe institucioneve”, theksoi ajo.

“Lajmet e rreme janë efektive sepse ndikojnë tek emocionet. Shembulli i parë është shëndetësia me çështjen e vaksinave, çështja e klimës dhe më në fund migrimi’’, shtoi Gabriel.

‘’Disa njerëz përpiqen t’i shfrytëzojnë këto emocione dhe këto çështje, por na takon ne gazetarëve, qytetarëve si dhe institucioneve të japim një shikueshmëri më të madhe për faktet dhe informacionet cilësore’’, theksoi Gabriel.

”Një vit e gjysmë më parë ne theksuam nevojën për të qenë aktivë në nivele të shumëfishta në të njëjtën kohë kundër dezinformimit, dhe tani, me zgjedhjet europiane, nuk është e mjaftueshme për të bërë deklarata, por duhet të shohim rezultatet që kanë përmbajtje politike, përmbajtje të sponsorizuar dhe llogaritë e rreme”, tha komisionerja.

”Ajo që duhet të bëjmë është t’u japim më shumë shikueshmëri informacioneve cilësore… edhe pse inovacioni dhe mediet sociale nuk janë në kundërshtim me transparencën dhe besueshmërinë”, theksoi komisionerja Gabriel./  /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.