Shijak/ Shkolla 9-vjeçare në Xhafzotaj me fushë të re shumëfunksionale sportive

TIRANË, 27 mars/ATSH/ – Një fushë e re shumëfunksionale sportive dhe hapësirat e saj rekreative u përuruan sot në shkollën 9-vjeçare në Xhafzotaj, Shijak. Eventi u organizua nga bashkia Shijak me pjesëmarrjen e ambasadorit zviceran, Adrian Maître, mësuesve, nxënësve dhe komunitetit të zonës.

Financuar nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë, ambientet e reja përfshijnë një fushë shumëfunksionale sportive e përshtatshme për minifutboll, volejboll dhe basketboll. Fusha plotësohet nga hapësira rrethuese rekreative. Si mësuesit, edhe nxënësit kanë tani infrastrukturën arsimore për aktivitete të ndryshme sportive në ambient të hapur dhe për nxitjen e përfshirjes sociale. Ky grant kontribuon për forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe rajonale në menaxhimin e projekteve zhvillimore. Në fazën e ardhshme – që nis së shpejti – Programi per Zhvillim Rajonal do të ndihmojë Shqipërinë për zbatimin e më shumë projekteve. Kjo nga ana tjetër do të ndihmojë në zbatimin e financimeve të ardhshme donator, përfshirë edhe fondet e BE-së për vendet kandidate.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani theksoi në fjalën e tij se: “Ajo që kemi bërë këtu do t’ju shërbejë jo vetëm juve, nxënësve të sotëm të kësaj shkolle, por edhe brezave të ardhshëm të nxënësve. Ne punuam dhe këmbëngulëm në këtë projekt, por falënderimet më të mëdha shkojnë për donatorët: qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë. Kjo ishte detyra jonë dhe këtë ja kërkojmë vetës dhe stafit tonë. Por edhe ju gjithashtu duhet të na mbani në presion në mënyrë që të punojmë për ju”.

“Ideja për këtë fushë sportive erdhi nga bashkia e Shijakut. Ambasadat e Zvicrës dhe Austrisë ndihmuan, por në fund të fundit ky është një rezultat i bashkëpunimit midis bashkisë, shkollës dhe programit tonë për zhvillim rajonal. Përmes këtij programi sot ne zgjidhëm nevojën e kësaj shkolle, ndërsa në të ardhmen duam të arrijmë më shumë: të krijojmë rajone që janë po aq të zhvilluara ose akoma më të zhvilluara se Tirana apo qytetet e mëdha. Urime, dhe suksese!”, tha ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître.

Investimi prej 57.000 euro erdhi nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë përmes Programit për Zhvillim Rajonal. Si pjesë e skemës së granteve nga Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri, ky investim përfshiu ndërtimin e 954 m² fushë sportive dhe ambiente rekreative së bashku me pajisjet përkatëse. Hapësirat e reja do të përdoren nga nxënësit dhe të rinjtë e shkollës, por edhe nga i gjithë komuniteti, përmes sporteve dhe aktiviteteve kulturore dhe pjesëmarrjes. Kjo ndërhyrje është një nga 16 projektet zhvillimore të financuara nga Skema Pilot e Granteve Rajonale e cila synon të përmirësojë kushtet social-ekonomike të komuniteteve në rajonet e Shqipërisë. Këto projekte adresojnë nevoja themelore të komuniteteve vendore përmes investimeve të vogla në arsim, turizëm, sport, kulturë dhe infrastrukturë komunitare, dhe si pasojë përmirësojnë cilësinë e jetës.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.