Meta uron pianisten 13-vjeçare nga Durrësi

TIRANË, 27 mars/ATSH/-  Presidenti Ilir Meta priti në një takim pianisten e talentuar 13-vjeçare nga Durrësi, Kristel Karagjozi, gjatë të cilit e uroi për marrjen e çmimit “Grand Prix” dhe çmimin special të jurisë në Festivalin e 11-të “Young Pianist” në Kosovë. Meta e përgëzoi për ftesën që ajo ka marrë për të luajtur së bashku me Filarmoninë e Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit polak Makowski, më 30 mars, në veprimtarinë e përvitshme ndërkombëtare të muzikës klasike “Dam Festival” të Prishtinës.

Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që takon një pianiste në moshë kaq të re, por tepër të talentuar.

“Kristel është një shembull për ata qindra e mijëra vajza e djem që studiojnë me pasion e përkushtim jo vetëm në fushën e muzikës, por në të gjitha fushat e artit. Ne ndihemi krenar për ta dhe për shembullin që ata japin për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre”, tha Meta.

Meta u shpreh se “të arrish aty ku ka arritur Kristel: të luajë me Filarmoninë e Kosovës nën drejtimin e një dirigjenti të huaj, duhet jo vetëm talent, por edhe shumë punë, sakrifica e përkushtim, duhen orë të gjata studimi e përgatitje. Përveç falënderimit për fëmijë si Kristel, të cilët kanë talent, por edhe pasion e vullnet, një falënderim i madh iu shkon edhe prindërve e mësuesve të këtyre fëmijëve të talentuar, që i mbështesin dhe iu dedikohen gjatë gjithë kohës”.

Kreu i shtetit i uroi Kristelit suksese në koncertin e saj të ditës së shtunë me Filarmoninë e Kosovës.

“Jemi pranë saj, e mbështesim dhe që jemi shumë krenarë për të dhe për të gjithë fëmijët e talentuar shqiptarë në Shqipëri dhe kudo në botë!”, tha Meta./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.