Meta shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të sportistit, Ali Mema

TIRANË, 25 mars /ATSH – I. Vata/ – Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-mesfushorit virtuoz të ekipit të “Tiranës”, Ali Mema.

Presidenti Meta vlerëson kontributin e sportistit Mema si dhe thekson se emri i tij është gdhendur me gema të arta në histori

“Ndarja nga jeta e legjendës bardheblu Ali Mema, ish-mesfushorit virtuoz të ekipit të ‘Tiranës’ dhe Kombëtares shqiptare, është një humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirësit, futbollin shqiptar dhe të gjithë ne. Ali Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-’70 dhe një prej figurave më të spikatura të trajningut, i cili ka lënë pas kontribute të jashtëzakonshme, të njohura e të vlerësuara edhe në arenën ndërkombëtare. Emri i tij, i gdhendur me meritë me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar do të kujtohet gjithmonë, jo vetëm për autoritetin e padiskutuar në fushën e blertë, por edhe për vlerat e shkëlqyera njerëzore që rrezatonte, si frymëzim për brezat e rinj të çdo kohe”.

Po ashtu, Presidenti shton se “në këto momente hidhërimi, i shpreh përzemërsisht ngushëllimet më të sinqerta familjes Mema, të afërmve, miqve e tifozëve të panumërt të Ali Memës!” /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.