Domosdoshmëri, përcaktimi i orareve në spitale

TIRANË, 26 mars/ATSH-Maela Marini/ – Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot domosdoshmëri përcaktimin e kufijve dhe të orareve në spitale.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me mjekë dhe drejtues shërbimesh shëndetësore për ndryshimet në Kodin Penal për dhunën ndaj personelit mjekësor.

“Nuk mundet të vazhdojmë më me spitale ku nuk merret vesh kush është kush kur kalon derën dhe ku nuk ka orare të përcaktuara për ata që shërbejnë, ata që shërbehen apo ata që vijnë për të asistuar ata që shërbehen”, – tha Rama.

Kryeministri solli si shembull spitalet e tjera kudo në botë ku mbizotëron rregulli. “Nuk i ka vënë kot bota kufijtë dhe muret për të ndarë shërbëtorët në sistem dhe të shërbyerit drejtpërdrejtë, nga miqtë apo shokët”, – tha Rama.

Nga pikëpamja logjistike e infrastrukturës, sipas Kryeministrit, nuk është kudo aq e lehtë. “Në QSUT kërkohet ndërhyrje në infrastrukturë për të ndarë rrugën e lagjes me atë të spitalit. Ne do ta bëjmë këtë dhe Ministria e Shëndetësisë po punon me FSHZH për të realizuar ndërhyrjen”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri e konsideroi ruajtjen e spitaleve me polici private në nivel mizerabël.

Industria e policive private në Shqipëri, sipas Ramës, është një industri reale me shifra tronditëse. “Kemi industri policimi privat, por me standarde shumë të ulëta, me paga mizerabël dhe me nivel profesional skandaloz dhe përgjegjshmëri zero. Po bëjmë një reformë me Ministrin e Brendshëm, që ka propozuar krijimin e një kompanie të Policisë së Shtetit që të shërbejë edhe si një fazë tranzicioni për shumë punonjës të Policisë, nga momenti i daljes nga radhët e ushtrimit të detyrës drejt pensionit dhe për të standardizuar policinë private duke vënë rregulla strikte”, tha Rama.

Procedurat e prokurimit të policisë private janë spektakël i marrëzisë dhe mungesës së seriozitetit, tha Rama, sjellë në vëmendje edhe fondet që harxhon universiteti me polici private që nuk ruan asnjë gjë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.