Zjarret e qëllimshme, Çako: Autorët para përgjegjësisë penale

TIRANË, 25 mars /ATSH – I. Vata/ – Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako iu bëri thirrje organeve ligjzbatuese të vendosin para përgjegjësisë penale zjarrvënësit e qëllimshëm.

Në një deklaratë për mediet, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako u shpreh se Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Emergjencave Civile po ndjek me shqetësim situatën e ditëve të fundit, ku dhjetëra vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të shumta në disa njësi administrative në të gjithë prefekturat.

“Që prej datës 3 mars e deri më sot, janë konstatuar 69 vatra zjarri, të cilat kanë djegur  167 hektarë, sipërfaqe me kullota pemëtari dhe pyje të konsideruar si zona të mbrojtura, duke sjellë pasoja shumë të rënda si në ekonomi ashtu edhe në mjedis”, tha ai

Në vijim, Çako tha se sipas analizës së bërë nga Drejtoria e Emergjencave Civile në të gjitha rastet kjo situatë është e pazakontë për stinën e shkaktuar në mënyrë të qëllimshme. Të gjitha vatrat e zjarrit janë ndezur nga dora e njeriut shkaktuar, sipas tij, nga djegia e shkurreve dhe ferrave e barishteve të thata për hapjen e tokave të reja apo kullota, apo krijimin e hapësirave për ndërtim.

“Me keqardhje vërejmë se përballë një situate të tillë autoritetet vendore mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit apo kërkesat për ndërhyrje nga ajri, ndërkohë që heshtin kur bëhet fjalë për marrjen e masave parandaluese për raste të tilla apo për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësive të shkaktarëve të zjarrit”. Për të gjithë ata drejtues vendorë qofshin kryetar njësish apo kryetarë bashkish të cilët bëjnë veshin shurdh, u rikujtoj ligjin për “Për emergjencat civile”, “Ligjin për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi”, si dhe të gjitha akteve të tjera ligjore dhe nënligjore. Pushteti vendor është përgjegjësi direkt për  organizimin e masave parandaluese, ruajtjen e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave dhe identifikimin e vatrës fillestare dhe autorëve me përgjegjshmëri maksimale”, tha ai.

“Kërkojmë nga Policia e shtetit dhe Prokuroria një bashkëpunim më efikas në identifikimin, ndalimin dhe arrestimin e të gjithë autorëve të zjarrvënieve me dashje dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore”, tha Çako.

“Çdo neglizhencë në këtë drejtim ju ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi rrezikohen të krijohen precedentë të rrezikshëm që cenojnë sigurinë e komunitetit dhe pasurisë së përbashkët kombëtare”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.