U19 / “Shqipëria” barazon me “Maqedoninë e Veriut”

TIRANË, 25 mars/ATSH/- Kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, ka barazuar ndeshjen e parë miqësore ndaj përfaqësueses U-19 të “Maqedonisë Veriore” me rezultatin 1-1. Ndeshja u zhvillua ditën e sotme në stadiumin “Skëndërbeu” të qytetit të Korçës në orën 15:00.

Kuqezinjtë e rinj ndonëse barazuan zhvilluan një lojë të mirë duke dominuar kundërshtarin dhe duke krijuar më shumë raste shënimi, duke goditur edhe traversën në minutën e 91. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 për fqinjët maqedonas që shënuan në minutën e 12-të me anë të Todorovskit. Në pjesën e dytë skuadra e trajnerit Dede reagoi menjëherë duke shënuar në minutën e 60-të me anë të Armando Brojas, sulmuesit të talentuar që aktivizohet në Angli tek “Chelsea”.

Shqipëria U-19 luajti me këtë formacion: Malaj, Bani, Pici, Rexhepi, Shehu, Bajrami, Morina, Muçi, Dobra, Mema dhe Broja. Përballja e dytë miqësore do të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, në qytetin e Ohrit më datë 26 mars, ora 13:00, dhe hyrja do të jetë e lirë për tifozët. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.