Shqipëri-Mal i Zi/ BE, grant për zhvillimin e zonave ndërkufitare

TIRANË, 25 mars /ATSH/ – Komisioni për Ekonominë dhe Financat, mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Europian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2017”

Relatorja Blerina Gjylameti tha se marrëveshja është nënshkruar në nëntor të vitit 2018 dhe  ka për qëllim kryesor të kontribuojë në, zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare, që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi, nëpërmjet projekteve të përbashkëta shkëmbimit të  përvojës dhe njohurive ndërmjet përfituesve, si dhe përmirësimit të politikave publike ndërmjet autoriteteve kombëtare, rajonale e lokale në zonën ndërkufitare.

Kjo marrëveshje parashikon financimin nga granti i BE-së nëpërmjet instrumentin IPA II, në vlerën 1 190 000 euro, për të dyja vendet.

“Programi do të fokusohet në prioritetet e mëposhtme tematike: 1. Nxitja e turizmit dhe e trashëgimisë kulturore e natyrore; 2. Mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe e lehtësimit ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut; 3. Nxitja e punësimit, lëvizjes gjeografike të punonjësve dhe e përfshirjes sociale e kulturore përtej kufirit. Zonat shqiptare, që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje janë: Shkodra, Lezha, Rrethi i Tropojës”, sqaroi ndër të tjera Gjylameti.

Po sot, dhe Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi marrëveshjen e sipërpërmendur. Në përfundim, të dyja komisionet e miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi marrëveshjen, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.