Rrjet i ri ujësjellësi në dy lagje të tjera të kryeqytetit

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Dy linja reja në ujësjellës është investimi më i ri i bashkisë së Tiranës për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve.

Specialistët e UKT kanë vënë në funksion linjën e re të ujësjellësit të ndërtuar në rrugën “Zonja Çurre”. Ky investim i ri tashmë është pjesë e rrjetit shpërndarës, i cili ka rritur ndjeshëm sasinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Gjithashtu, i është dhënë zgjidhje problemit të kanalizimeve në rrugën “Gaqo Tashko” falë investimit të ri të rrjetit të kanalizimeve me materiale cilësore për një shërbim sa më të mirë për banorët në këtë zonë të populluar të qytetit.

Në këto katër vite, bashkia e Tiranës ka realizuar një sërë investimesh të rëndësishme në shumë zona të kryeqytetit, duke rinovuar tërësisht rrjetin e amortizuar nga mosvënia dorë prej vitesh duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të cilësisë së tij.

Në të njëjtën kohë një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe përgjigjes në kohë të shqetësimit të qytetarëve për çdo problem në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve përmes specialistëve të UKT. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.