Ndeshja Andorrë-Shqipëri, publikohen formacionet zyrtare

TIRANË, 25 mars/ATSH/- Shqipëria do të luajë ndaj Andorrës sot në orën 20:45, në “Estadio Nacional”, ndeshjen e dytë kualifikuese për grupin “H”, në kuadër të kualifikueseve për finalet e Europianit 2020. Kombëtarja shqiptare kërkon tri pikët e para në këto eliminatore dhe ndaj Andorrës fitorja është detyrim për kuqezinjtë, të cilët do luajnë me fanellë të bardhë.

Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, dy timonierët e kuqezinjve mbrëmjen e sotme kanë zgjedhur rreshtimin 4-3-3, ku janë plot 5 lojtarë që nuk ishin titullarë ndaj Turqisë që këtë herë do ta nisin ndeshjen që nga fillimi.

Shqipëria do të prezantohet me Etrit Berishën në portë, kapitenin Hysaj në krahun e djathtë të mbrojtjes, Ismajlin dhe Gjimshitin në qendër dhe Naser Alijin në krahun e majtë. Treshja e mesfushës do të ketë më shumë fantazi, pasi bashkë me Xhakën do të jenë edhe Ergys Kaçe dhe Migjen Basha. Sulmi do të përbëhet nga treshja Grezda, Uzuni, Sadiku.

Andorra: Gomes, Rubio, Lovera, Lima, San Nicolas, Rodriguez, Rebes, Vales, Clemente, Martinez, Vieira. Trajner: Coldo Alvarez.

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji, Xhaka, Kaçe, Basha, Uzuni, Grezda, Sadiku. Trajner: Ervin Bulku

Momentalisht Turqia ndodhet në vendin e parë në grupin “H” me pikë të plota, 6 (një ndeshje më shumë). Franca e Islanda ndjekin me nga tre pikë, teksa Shqipëria, Andora dhe Moldavia janë në kuotën e 0 pikëve. Po sonte për grupin “H” Franca sfidon Islandën në Paris. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.