Meta: Minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ura lidhëse mes dy popujve tanë

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm sot në ceremoninë e organizuar në Ditën Kombëtare të Greqisë, duke shprehur edhe disa mesazhe. Kreu i Shtetit shkruan se shqiptarët meritojnë të jetojnë gjithmonë në harmoni dhe begati, duke theksuar gjithashtu se minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi, janë ura të forta lidhëse në marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale.

“I lumtur të merrja pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Greqisë. Në këtë ditë feste e gëzimi të fqinjëve tanë uroj që edhe bashkëpunimi e partneriteti ynë të udhëhiqen nga trashëgimia më pozitive dhe e ardhmja e përbashkët e dy popujve tanë në një rajon më të begatë të Europës së Bashkuar. Minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ura shumë të forta lidhëse në marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale, por edhe mjaft premtuese mes dy popujve tanë. Shqiptarët dhe grekët meritojnë të jetojnë gjithmonë në bashkëpunim, harmoni e begati. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-greke!”, shprehet Meta.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.