KLP emëron Bledar Valikajn prokuror

TIRANË, 25 mars/ATSH/- Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në mbledhje plenare për shqyrtimin e kërkesës së Bledar Valikajt për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit nr. 309 dt. 06.02.2019, i cili urdhëron Këshillin e Lartë të Prokurorisë të emërojë si prokuror shtetasin Bledar Valikaj.

Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i Këshillit të Lartë të Prokurorisë paraqiti nëpërmjet relatorit Sandër Beci relacionin dhe projektvendimin “Për emërimin si prokuror të kërkuesit Bledar Valikaj” në zbatim të vendimit të sipërpërmendur të gjykatës.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me 6 vota pro dhe 4 kundër (Arben Dollapaj, Bujar Sheshi, Kostaq Beluri dhe Nurihan Seiti) të miratojë kërkesën e Bledar Valikajt për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit nr. 309 dt. 06.02.2019.

Anëtarët të cilët votuan pro zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës (pa kërkuar shqyrtimin e mëtejshëm të çështjes në Gjykatën e Lartë) e argumentuan qëndrimin e tyre me faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka arsye të ngrejë pretendime në lidhje me thelbin e urdhërimit të Gjykatës, sepse Këshilli nuk ka qenë palë në këtë konflikt. Ndryshimi i kuadrit ligjor gjatë kohës së shqyrtimit gjyqësor të ankimit të z. Valikaj bëri që vendimi i Gjykatës që sipas kuadrit të vjetër ligjor i drejtohej Presidentit të Republikës, sipas kuadrit ligjor ekzistues të zbatohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në këto kushte Këshilli nuk ka arsye të sfidojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.

Anëtarët të cilën votuan kundër zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës e argumentuan qëndrimin e tyre me nevojën për kërkuar rishikimin e vendimit të Gjykatës së Apelit përmes rekursit në Gjykatën e Lartë duke krijuar kështu një siguri më të madhe për ligjshmërinë e atij vendimi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.