Inaugurohet qendra e re e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit

TIRANË, 25 mars /ATSH – I. Vata/ – Inaugurohet qendra e vizitorëve në Parkun Kombëtar të malit të Dajtit, e shtata e ndërtuar në zonat e mbrojtura dhe e treta e financuar nga Bashkimi Europian.

Në ceremoninë e inaugurimit merrte pjesë Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit si dhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Në fjalën e tij, ministri Klosi tha se është një nga ato pikat, të cilat mund të shënojnë ndryshimin e historisë në këtë park. “Një pikë që ofron jo vetëm informacion për parkun, por më shumë se kaq do të jetë një pikë ndërlidhëse me shumë aktivitete të tjera që duhet të zhvillohen në këtë zonë, mund të bëjë që shumë më shumë njerëz të vizitojnë parkun, të kenë mundësinë të argëtohen në parkun kombëtar të Dajtit, po edhe për familjarët të cilët mund të vijnë lehtësisht tashmë nëpërmjet teleferikut, të kenë mundësinë që në park të mos shijojnë vetëm pamjen e bukur, por të kenë mundësi të bëjnë një xhiro me biçikletë, që nëpërmjet guidave profesionale të bëjnë një ecje në mal, të kenë mundësi që të kuptojnë të gjithë natyrën madhështore që ka mali i Dajtit”, tha Klosi.

Për ministrin Klosi, me rëndësi është veçanërisht pjesëmarrja e të rinjve, për të qenë pjesë e edukimit mjedisor, për të mbajtur parkun pastër, për të kultivuar dashurinë për mjedisin dhe vlerat natyrore që ka parku i Dajtit për turizëm.

“Dua të falënderoj personalisht ambasadorin e BE-së, Soreca, por edhe stafin e tij për një punë të detajuar, një investim relativisht modest, por që prodhon një pol kaq të rëndësishëm turistik, por po ashtu të dëshmojë para jush që ne tashmë jemi në një fazë të avancuar të projektit disamilionë eurosh që do të investojmë në strukturat turistike në të gjithë vendin duke krijuar infrastrukturë më të mirë, hapësira më të shfrytëzuara nga pikëpamja turistike, por edhe duke zhvilluar strategji të vërteta zhvillimi turistike në polet më të rëndësishme të turizmit shqiptar”, u shpreh ministri Klosi.

Nga ana e tij, ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca vlerësoi rëndësinë e investimeve të tilla në zona me përparësi zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.

“Ne mund të shohim Tiranën prej këtu, dhe kjo qendër shërben si një urë komunikimi dhe bashkëpunimi mes Tiranës, komunitetit këtu, parkut dhe qytetarëve të Tiranës, që janë me fat që kanë një park kaq afër tyre. Sot hapim një qendër tjetër dhe është një hap tjetër i vogël për krijimin e një rrjeti të tillë në Shqipëri. Ne shpresojmë që Shqipëria t’i bashkohet shpejt Natura 2000, pra për ne është e rëndësishme që të krijohen qendra të tilla, por është akoma edhe më e rëndësishme që të zbatohet ligji dhe për këtë i uroj edhe rangers-at që janë këtu të cilët duhet të vënë në zbatim dhe rregullat për mbrojtjen e mjedisit”, tha ambasadori Soreca. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.