Gjylameti: Përmbushim kontratën me qytetarët, jo pushtet në tavolinë

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Edhe pse deputetë të partive opozitare kanë vendosur që të djegin mandatet parlamentare duke shkaktuar boshllëqe në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca është e vendosur që të përmbushë kontratën e nënshkruar në vitin 2017 me qytetarët shqiptarë.

Deputetja dhe njëkohësisht kryetarja e Partisë Socialiste për Tiranën, Blerina Gjylameti gjatë një interviste televizive e shikon vendimin e deputetëve të opozitës për mandatet, si një akt jonormal dhe të dëmshëm për demokracinë në vend, duke theksuar se qytetarët  në zgjedhjet e vitit 2017 i besuan PS për të çuar vendin përpara dhe jo për të dorëzuar pushtetin në tavolinë.

“Opozita ka krijuar një precedent nga më të rrallët që ka ndodhur në demokraci, por PS duhet të vazhdojë të përmbushë kontratën me qytetarët. Qytetarët nuk na votuan në 2017 për të ndarë pushtetin në tavolinë me opozitën. Është punë e opozitës nëse ka vendosur të bëjë vetëvrasje. I përgëzoj kolegët e opozitës që pranuan të marrin mandatin. Çfarë duhet të bëjë opozita, është çështje që i takon atyre”, – u shpreh Gjylameti.

Duke theksuar se vendi ynë ka humbur shumë kohë për të përmbushur objektivat për integrimin, Gjylameti shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të dialoguar me opozitën për të përmirësuar Kodin Zgjedhor.

“Shqipëria ka humbur shumë kohë për të përmbushur objektivat për integrimin, do të angazhohemi që të përmbushim pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, jemi të hapur që të dialogojmë me opozitën për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. Do të ftohen të gjithë aktorët politikë në një tryezë për Reformën Zgjedhore dhe do ta votojmë pasi të reflektojmë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR. Drafti është në faqen zyrtare të Parlamentit. Shpresoj që të gjejmë konsensus për të miratuar Reformën Zgjedhore. Qytetarët nuk duan kaos, por duan që aktorët politikë të dalin jashtë interesave personale”, – theksoi Gjylameti.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.