Financimet në fushatë, PD: Deklarata e Prokurorisë, e paligjshme

TIRANË, 25 mars /ATSH – I. Vata/ – Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me deklaratën e Prokurorisë së Tiranës, duke e konsideruar atë të paligjshme, e gënjeshtërt, e paprecedentë, vetëdiskredituese dhe të gatuar politikisht.

Në një deklaratë për shtyp, Partia Demokratike shprehet se “dalja me konkluzione hetimore ende pa përfunduar hetimin, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, tregon se Prokuroria po përdoret politikisht dhe po i shërben propagandës qeveritare kundër opozitës së vendit”.

Partia Demokratike tha se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe ka deklaruar të gjitha shpenzimet e kryera në vitin 2017.

“Pasi gënjeshtra e madhe që kishte ngritur për hetimin e Partisë Demokratike i plasi në dorë, pas informacioneve të ardhura nga SHBA dhe Skocia, Edi Rama në dëshpërim ka vendosur të përdorë sërish prokurorinë duke e kthyer nga institucion të ligjit në institucion qesharak propagande”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Më herët Prokuroria e Tiranës deklaroi se, nga hetimi deritanishëm lidhur me subjektin politik Partia Demokratike, në kuadër të shpenzimeve elektorale të vitit 2017, kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës theksohet se PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.