Euro-2020/ Turqia fiton ndaj Moldavisë, kryeson grupin “H”

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Turqia ka mundur Moldavinë në ndeshjen e dytë kualifikuese për grupin “H”, në kuadër të kualifikueseve për finalet e Europianit 2020.

Pas fitores në “Loro Boriçi”, ndaj kuqezinjve, turqit kanë arritur të sigurojnë dhe një tripikësh mjaft të rëndësishëm përballë moldavëve, të cilët edhe pse tentuan të luajnë si të barabartë, sërish nuk arritën të ndalonin skuadrën turke të shënonte katër gola, e tashmë ndodhet në kuotën e 6-të pikëve.

Turqia mori epërsinë që në pjesën e parë përmes Hasan Ali Kaldrim, i cili gjeti rrugën e rrjetës pasi u asistua nga Hakan Çalhanoglu në minutën e 24-t. “Tronditja” nga goli i parë ka bërë që Moldavia të pësojë menjëherë dhe golin e dytë. Kësaj radhe topi në rrjetë u dërgua nga Cenk Tosun, i cili u shërbye nga Burak Yilmaz në minutën e 26. Moldavia pas këtij momenti tentoi të ringrihej, por nuk ka pati rezultat. Me të nisur pjesa e dytë, vendasit kanë fituar një 11-metërsh në minutën e 53. Burak Yilmaz goditi topin nga pika e bardhë por pa rezultat, pasi portieri Koşelev ka pritur këtë goditje, teksa pak sekonda më pas, ishte Cenk Tosun, që e dërgoi topin për herë të tretë në portën e mbrojtur nga Alexei Koşelev, duke shënuar një dygolësh personal në sfidën e zhvilluar në “Yeni Atatürk Stadyum”. Golin e katërt të sfidës e shënoi Kaan Ayhan në minutën e 70.

Pas kësaj sfide, Turqia ndodhet në vendin e parë në grupin “H” me pikë të plota, 6. Franca e Islanda ndjekin me nga tri pikë, teksa Shqipëria, Andorra dhe Moldavia janë në kuotën e 0 pikëve. Kombëtarja jonë e futbollit luan sot në 20:45 përballë Andorrës në fushën e kësaj të fundit, teksa Franca sfidon Islandën në Paris.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.