Divjakë/ Zhvillohet në bashki takimi për luftën kundër lëndëve narkotike

TIRANË, 25 mars/ATSH/- Në bashkinë Divjakës u zhvillua takimi i radhës me aktorët kryesorë të përfshirë në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Kryetari i bashkisë, Fredi Kokoneshi së bashku me përfaqësuesit e Policisë së Shtetit Ervis Peza shef i komisariatit, Valter Sulcaj, shef i krimeve si dhe Ardian Koci drejtor i AKZM patën një bashkëbisedim të hapur me të gjithë pjesëmarrësit, kryetarë fshatrash,inspektorë zone,punonjës policie etj.

Gjatë bisedimit u raportua rreth situatës aktuale si dhe punës së bërë deri tani, gjithashtu u dëgjuan shqetësime të ndryshme, sugjerime, mendime. Fakti i arritjeve në luftën kundër këtij fenomeni si dhe inekzistenca e rasteve shqetësuese në territorin e bashkisë Divjakë natyrisht gjeneroi shumë pak problematika të ngritura.

Drejtori i AKZM, Ardian Koci vuri theksin në elementët që nuk duhen neglizhuar siç mund të jenë thasë plastmasë që mund të hasen të hedhur në pyll, sidomos kur në to mund të ketë shenja dheu ose plehu organik.

Ky takim është i përvitshëm në bashkinë e Divjakës dhe synon nxjerrjen e problematikave dhe përcaktimin e rrugës që duhet ndjekur për zgjidhjen e kësaj situate.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.