Different Trains Festival, solistët e Operas së Parisit performojnë për publikun shqiptar

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Different Trains Festival është rikthyer ashtu si çdo pranverë me një seri koncertesh në Tiranë dhe jo vetëm.

Ditën e sotme në sallën “Liria” pranë Qytetit Studenti kanë interpretuar solistët e Operas së Parisit me rastin e Pranverës së Frankofonisë, ku artistët sollën për publikun një atmosferë të ngrohtë mes tingujve të klasikëve botërorë.

Ata interpretuan pjesë nga klasiket më në zë për të pranishmit, duke i sjellë ato me mjeshtëri nëpërmjet instrumenteve të ndryshme.

Olivier Doise në oboe, Eric Lacrouts në violinë, Laurent Verney në violë dhe artisti shqiptar Vlorent Xhafaj në cello, dhuruan një ditë ndryshe dhe mjaft të veçantë për publikun e pranishëm.

Different Festival nuk do të ndalet këtu, pasi koncerti në muajin maj do të vazhdojë turin edhe në qytete dhe ambiente të tjera të Shqipërisë.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.